Lajme

Vuçiq-Stoltenbergut: I shqetësuar për ngjarjet në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është shumë i shqetësuar për “ngjarjet e fundit në Kosovë dhe jo vetëm në veri”, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.

Presidenti Vuçiq falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për gatishmërinë e tij për të dëgjuar palën serbe, ndërsa Stoltenberg tha se Aleanca do të vazhdojë të zbatojë mandatin e saj në mënyrë të paanshme.

“Më duhet të them se jam shumë i shqetësuar për zhvillimet e fundit në gjithë Kosovën dhe jo vetëm në veri dhe nuk do ta përdor për të fajësuar palën tjetër, por kjo vizitë është shumë e rëndësishme për ne, sepse kjo po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në aspektin e sigurisë dhe jo vetëm çështje politike”, tha Vuçiq pas takimit në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai ka deklaruar se ka pasur edhe “serbë që janë plagosur rëndë, pra të qëlluar dhe se nuk është bërë asnjë hetim”.

“Në të njëjtën kohë ka edhe arrestime të pabaza dhe arbitrare të serbëve, gjë që jo vetëm na shqetëson, por është edhe shqetësim i madh për serbët që jetojnë në veri të Kosovës dhe serbët në përgjithësi kudo që jetojnë”, ka shtuar Vuçiq.

Stoltenberg, pas takimit me Aleksandar Vuçiq tha se Aleanca vazhdon të garantojë sigurinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

Lidhur me konfliktin mes serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, ai theksoi se sulmet ndaj misionit të NATO-s janë të papranueshme.

“Ne kemi shtuar praninë tonë si reagim ndaj rritjes së tensionit në veri. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë zbatimin e mandatit tonë në mënyrë të paanshme”, tha Stoltenberg.

/Shqip.com