Lajme Ballkan

Vuçiq: Serbia do të marrë dronë kamikazë nga Emiratet

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se brenda dy ditëve Serbia do të nënshkruajë kontratën e parë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve kamikazë.

Ai u tha gazetarëve në Abu Dhabi se ai “shpreson” që pas pesë- gjashtë muajsh, dronët e parë kamikazë do të arrijnë në Forcat e Armatosura serbe, raporton REL.

Pas vizitës së Panairit të Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake 2023, ai shtoi se në ditët në vijim pret përshkallëzim të konfliktit në Ukrainë, që sipas tij, do ta vështirësojë edhe më shumë pozitën e Serbisë.

“Ne po përballemi me një periudhë sfiduese, dhe nga deklaratat e presidentit [rus], Vladimir Putin, duket qartë se ai do të vazhdojë me shumë ashpërsi luftën në Ukrainë. Për disa ditë, pres ndryshime të mëdha në fushëbetejë dhe në veprime të mëtejshme politike ndaj Serbisë nga perëndimi dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë”, tha Vuçiq.

Kujtojmë se sot, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka folur gjatë për luftën e tij kundër Ukrainës në një fjalim drejtuar popullit të tij.

Ai fajësoi Perëndimin për provokimin e luftës dhe përshkallëzimin e saj, duke thënë se SHBA dhe aleatët e saj kërkuan “pushtet të pakufizuar”.

/Shqip.com