Vuçiq publikon foto nga takimi me Ramën e Zaevin: Ballkani i Hapur, iniciativë e jashtëzakonshme
Ndërkohë që në Tiranë mbahej protestë kundër iniciativës ‘Open Balkan’ dhe vizitës së Aleksandër Vuçiq në Shqipëri, kryeministri shqiptar, Edi Rama po zhvillonte një takim në Elbasan me presidentin serb dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri i Shqipërisë dhe dy liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë diskutuar në një darkë jo zyrtare pritshmërinë për ‘Open Balkan’.
Në rrjetin social, Instagram, presidenti Vuçiq ka publikuar një fotografi nga darka, ku ka shkruar se “Open Balkan” është një iniciativë e jashtëzakonshme.
“Ne e konsiderojmë Open Balkan një iniciativë të jashtëzakonshme, e cila u bë për shkak të njerëzve që jetojnë në çdo qytet, në çdo fshat”, ka shkruar ai.
“Bisedime të rëndësishme se si të vazhdojmë të përparojmë, të lidhemi, të bashkëpunojmë më shpejt dhe më fort”.
“Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev”.
Të hënën e 20 dhjetorit, para ardhjes së Vuçiqit në Shqipëri, është mbajtur një protestë e thirrur nga ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha.
Ky i fundit thirri mbështetësit në protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është “kërcënim për interesat e vendit tonë”.
Gjatë protestës ndodhi një incident. Protestuesit dogjën një flamur serb.
Ngjarja nuk mbeti pa u komentuar edhe nga mediat lokale në Serbi. E përditshmja “Kurir” shkroi se “ekstremistë shqiptarë janë mbledhur para kryeministrisë për të protestuar kundër presidentit të Serbisë”./SHQIP.com