Lajme Ballkan

Vuçiq: Populli serb është kundër anëtarësimit në BE

Pas samitit të Procesit Brdo-Brioni, i cili po mbahet në Slloveni, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq iu drejtua publikut.

Vuçiq, tha se në takimin e liderëve rajonalë në Samitin e Bërdo pranë Kranjit nuk ka pasur tensione, por ka pasur dallime për shumë çështje.  

“Dallimet nuk janë tensione. Dallimi ishte në shumë çështje, qasja jonë ndaj marrëdhënieve me Prishtinën është e ndryshme nga të tjerat. Pothuajse të gjithë këtu, pa llogaritur BiH, për shkak të pozicionit serb në BeH, e njohën Kosovën e pavarur.”, tha Vuçiq, raporton RTS.

Lexo edhe:
Osmani: Shpresojë që aplikimi i Kosovës për në Bashkimin Evropian të përkrahet nga ana e shteteve të BE-së

Presidenti i Serbisë deklaroi se liderët e rajonit në kuadër të Procesit Bërdo-Brioni kanë dashur të dëgjojnë njëri-tjetrin më shumë këtë vit dhe se atmosfera ka qenë më e mirë se vitin e kaluar.

Më tutje i pari i Serbisë është shprehur se populli serb është kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Sot në Serbi një shumicë e qartë dhe pa mëdyshje e qytetarëve janë kundër hyrjes së Serbisë në BE. Dhe kjo shumicë nuk ka qenë kurrë më e qartë”.

Çka është Procesi i Bërdo-Brionit?

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në Bashkimin Evropian./Shqip.com