Lajme

Vuçiq: Perëndimi të mos mbështesë veprimet e Prishtinës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për vendet perëndimore, duke përfshirë Britaninë e Madhe, që të përmbahen nga mbështetja e “veprimeve të dhunshme të autoriteteve të Prishtinës”, siç ishin ato në veri të Kosovës, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai pas aksionit anti-kontrabandë të marrë javën e kaluar nga autoritetet në Kosovë, në disa komuna të vendit, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut.

Ky operacion është përcjellë me protesta të dhunshme të serbëve lokalë. Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve janë lënduar 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë.

Më 16 tetor, Vuçiq në një intervistë për televizionin serb ‘Prva’, akuzoi Britaninë e Madhe se ishte pas veprimit të fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat dërguan njësitë speciale në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe.

I pyetur nëse ka pasur reagim ndaj këtyre kritikave, Vuçiq tha se kishte “vërejtje dhe biseda jozyrtare”.

“Mjafton që unë t’u them atyre të lexojnë deklaratën e ambasadës së tyre në Prishtinë. Unë gjithmonë do të dëshiroj të kem marrëdhëniet më të mira me Britaninë e Madhe, ata na ndihmuan shumë me prokurimin e vaksinave AstraZeneca. Por, mos na fyeni inteligjencën tonë”, u tha Vuçiq gazetarëve të dielën, pasi vizitoi selinë e Agjencisë Informative të Sigurisë (BIA) në Beograd. /Shqip.com