Lajme Ballkan

Vuçiq për autostradën Nish-Merdarë: Do të vendosen lidhje më të mira për serbët dhe shqiptarët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Në prani të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të enjten kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës Nish-Merdarë, në gjatësi prej 76.3 kilometrash.

Me këtë rast, Vuçiq tha se kjo autostradë do të ndihmojë në zhvillim, por edhe që të vendosë lidhje më të mira për serbët dhe shqiptarët.

“Kjo është rruga e shpëtimit për njerëzit tanë nga Graçanica, të cilët do të mund të arrijnë në Serbi në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Vuçiq, raporton portali serb ‘Kosovo Online’.

Sipas tij, kjo autostradë do të mundësojë edhe marrdhënie më të ngushta të serbëve me shqiptarët.

“Nuk kam turp të them se do të duhet të ndërtojmë marrëdhënie pakrahasueshme më të mira me shqiptarët në të ardhmen dhe duhet të mendojmë për këtë dhe të ndërtojmë infrastrukturën për këtë”.

“Ne do të mund të kemi një treg të madh në Tiranë dhe Prishtinë për produktet tona. Për të blerë më lirë dhe për të ulur kostot e kompanive tona”, tha më tej Vuçiq. /Shqip.com