Lajme

Vuçiq: Nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, le të formohet Asociacioni

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, teksa po qëndron për vizitë në Budapest të Hungarisë, ka prekur sërish çështjen e reciprocitetit të targave dhe tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, le të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, transmeton Shqip.com.

Teksa ka përsëritur kërkesën e tij për formimin e Asociacionit, ai me ironi thotë se shpreson që s’do të presë edhe 10 vite të tjera për formimin e tij.

“Nëse ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit, pres që menaxhmenti të ulet nesër e të nisë me formimin e Asociacionit. Shpresoj se s’do të presim edhe 10 vjet të tjerë”, ka thënë ai, raportojnë mediat serbe.

Duke folur për situatën në veri, Vuçiq ka shprehur “shqetësimin” për “sulmet e Policisë ndaj tre serbëve”, që më vonë u demantuan nga Policia e Kosovës.

“Qartazi i kemi caktuar kufijtë se deri ku mund t’i durojmë vendimet e shqiptarëve. Besoj në guximin e popullit. Nëse provojnë persekutimin e popullatës sonë, kjo s’do të ndodhë”, ka shtuar ai.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti për veturat me targa të Serbisë. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare.

Kjo masë ka nxitur serbët në veri të bllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak. Në fakt, Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat duke mos e zbatuar ashtu siç ka qenë në marrëveshjen e Brukselit, për vetëm mbulimin e shkronjave.

Me skadimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova nisi zbatimin e reciprocitetit. /Shqip.com