Lajme Ballkan

Vuçiq: Kërkesa për formimin e komunave shqiptare në Serbi është e pakuptimtë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Aleksandar Vuçiq - President i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i quajti kërkesat e politikanëve shqiptarë nga Bujanoci, të cilët kërkojnë një bashkësi të komunave shqiptare në jug të Serbisë, gjegjësisht reciprocitet në raport me të drejtat që kanë serbët në Kosovë, marrëzi.

“Është marrëzi aq sa nuk kam fjalë dhe siç e shihni po e them para shqiptarëve”, është përgjigjur Vuçiq sot në Bujanoc. Njëkohësisht ai theksoi se dera e tij është e hapur për të gjithë shqiptarët që jetojnë në këtë zonë.

Ai u tha politikanëve shqiptarë të kësaj zone se do të ishte mirë që ata të kuptojnë se gjëja më e rëndësishme nuk është mbijetesa e tyre politike dhe pikët politike, por mënyra se si njerëzit mund të jetojnë më mirë.

“Shqiptarët e zakonshëm thjesht kërkojnë një jetë më të mirë dhe dera ime dhe e të gjithëve në vend është e hapur për diskutime për këtë temë”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se plani 7-pikësh , zbatimin e të cilit kërkojnë shqiptarët, do të zgjidhet , por se nuk është vetëm shteti fajtor që nuk ecën përpara si projekt, shkruan portali Bujanovacke.

Sa i përket negociatave me Prishtinën dhe planit franko-gjerman, Vuçiq ka insistuar se duhet të respektohet ajo që është nënshkruar më parë, përkatësisht Asociacioni, gjë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti e refuzon me këmbëngulje.

I pyetur nëse e sheh si zgjidhje potenciale shkëmbimin e territoreve apo demarkacionin, Vuçiq u përgjigj:

“Jo, nuk e shoh, kur po përpiqesha të zgjidhja diçka, të gjithë më hidhët në shpinë”.

/Shqip.com