Vuçiq: Ka qenë zhgënjim njohja e Kosovës nga Izraeli

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli ka qenë zhgënjim për shtetin që ai drejton.
Këto komente Vuçiq i bëri gjatë një bisede telefonike me presidentin e Izraelit, Isak Herzog – teksa biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë e Izraelit, raporton Tanug, transmeton Shqip.com.
Përkundër kësaj i pari në Serbi shprehi dëshirën që raportet ndërmjet këtyre vendeve të përmirësohen.
Më 1 shkurt 2021, Kosova dhe Izraeli lidhen marrëdhënie diplomatike.
Si rezultat i kësaj, Prishtina e vendosi ambasadën në Jerusalem – vendim i kritikuar nga Brukseli dhe Ankaraja.
Por, Uashingtoni ishte garantuese e këtij hapi të cilën e ndërmori Kosova.
Kjo pasi më 4 shtator, në Uashington – ishte arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë – të nënshkruara në dy dokumente të ndryshme.
Në dokumentin që e nënshkroi kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti, Kosova pranonte që ambasadën ta ketë në Jerusalem, lokacion i kontestuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Të njëjtën kërkesë e kishte edhe Serbia, e nënshkroi Vuçiq – por Serbia vazhdon ambasadën ta ketë në Tel Aviv, pa dhënë sinjale që do ta zhvendosë. /Shqip.com