Lajme Ballkan

Vuçiq ka anuluar të gjitha vizitat jashtë vendit për shkak të situatës në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka anuluar të gjitha vizitat jashtë vendit për shkak të situatës në Kosovë.

Siç shkruan Danas, Aleksandar Vuçiq i ka kërkuar falje presidentit të Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, për anulimin e pjesëmarrjes së tij në takimin e madh COP 27, i cili mbahet në Sharm el-Sheikh që nga 7 nëntori.

Në takim do të marrin pjesë të gjithë liderët botërorë, nga presidenti amerikan Joseph Biden, presidenti francez Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Mohammed bin Zayed e të tjerë.

Takimi me Lajçakun sot

Siç është paralajmëruar, sot Vuçiq do të takohet me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Vuçiq do të takohet me Lajçakun në ora 18:30, kurse nesër do të mbahet seanca e Qeverisë për situatën në Kosovë.

Siç kanë njoftuar disa portale, seanca është thirrur pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës dhe suspendimit të komandantit rajonal të Policisë së Kosovës për Veri, Nenad Gjuriq, të kryera nga Prishtina, si dhe pas bisedimeve të Vuçiqit me serbët atje, që zgjati gjithë natën në Beograd.

/Shqip.com