Lajme Ballkan

Vuçiq i ankohet Lajçakut për shpronësimin e pronave në veri të Kosovës

Aleksandar Vuçiq dhe Miroslav Lajçak

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur sot për situatën në veri të Kosovës gjatë një konference për shtyp.

Ai ka pohuar se ka diskutuar me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vuçiq ka deklaruar se ndërmjetësuesit ia ka përcjell shqetësimet e shtetit serb duke iu referuar edhe vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e disa pronave në veri të vendit.

“Kam biseduar me Miroslav Lajçakun. Jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, veçanërisht për situatën në veri. Ia kam thënë këtë edhe ndërmjetësit, se shqetësimi im buron nga nevoja e Kurtit për të provokuar konflikte dhe me çfarë pasioni të pabesueshëm dëshiron të shkaktojë konflikte.

E fundit që ka bërë ishte me shpronësimet, gjithçka që po bënë është aq e keqe, sa që kam mbetur pa fjalë. Jam i shqetësuar pasi ai po mendon t’i merr me dhunë disa prona dhe Kuinti po tregohet naivë”, ka pohuar Vuçiq.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim preliminar për shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik,”, në Komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, raporton b92.

/Shqip.com