Lajme

Vuçiq do t’i takojë serbët e Kosovës lidhur me barrikadat në veri

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohet sot pas orës 19:00 me serbët e Kosovës.

Siç raporton RTS, Petkoviq tha se nga ky takim do të shohet nëse serbët do të pranojnë që t’i largojnë barrikadat.

Petkoviq, ka thënë se asnjëherë nuk kanë marrë garanci më të forta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian sesa tani lidhur me kërkesat e serbëve në veri.

Duke iu referuar të njëjtës medie, Petkoviq tha se tri kërkesa të serbëve u plotësuan.

Sipas Petkoviqit, e para kishte të bëjë me serbët të cilët ishin arrestuar dhe lirimi i tyre duke përfshirë edhe Dejan Pantiqin.

“Sigurisht lajmi më i mirë është se mund të dëgjojmë gjithashtu se Dejan Pantiç është liruar në arrest shtëpie. Kjo është një fitore e madhe, kryesisht e popullit serb në Kosovë, sepse tregon se Dejan Pantiç nuk është fajtor për t’u akuzuar për një lloj terrorizmi. Kjo ishte një shprehje e përballjes politike të Albin Kurtit me serbët në Kosovë” tha Petkoviçi.

Kërkesa e dytë kishte të bëjë me garancinë që iu është ofruar nga KFOR-i për faktin se nuk do të ketë arrestime për shkak të vendosjes së barrikadave.

Ndërsa e treta kishte të bëjë me atë se KFOR-i ka siguruar serbët lokal që pa miratimin nga ky institucion paqeruajtës të mos shkojë Forca e Sigurisë së Kosovës në veri.

Për takimin në mes Vuçiqit dhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiqit, foli edhe Petkoviq.

“Ai u kërkoi serbëve tanë të tërhiqen nga barrikadat. Ata thanë se i besuan vetëm atij dhe jo Albin Kurtit dhe u kërkuan atyre të kthehen në veri të Kosovës dhe t’i paraqesin këto garanci popullit”, tha Petar Petkoviq.

Krahas kësaj, u vu në dukje që do të luftohet për rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

/Shqip.com