Lajme Ballkan

Vuçiq: Dialogu me Kosovën nuk ka alternativë, Serbia po lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dialogu Kosovë – Serbi, nuk ka alternativë, transmeton Shqip.com.

Në Samitin e të Painkuadruarve që po mbahet në Beograd, teksa foli për Kosovën, Vuçiq tha se Serbia “po lufton për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, raporton Kosovo Online.

Aleksandar Vuçiq në Samitin e të Painkuadruarve.

“Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare është kyçe në këtë proces. Jemi duke luftuar për ta zgjidhur problemin me Kosovën, jemi duke luftuar për integritetin territorial. Serbia, mbron kartën e Kombeve të Bashkuara dhe mbetet e përkushtuar për këtë”.

“Jemi duke shikuar për një zgjidhje afatgjatë. Kërkimi i një zgjidhjeje paqësore nënkupton forcën tonë, jo dobësinë tonë. Pavarësisht sfidave, Serbia është e përkushtuar për kompromis që ruan sigurinë në rajon”.

Samiti dyditor që po mbahet në Beograd shënon 60-vjetorin e konferencës së parë të Lëvizjes së të Painkuadruarve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të më shumë se 105 vendeve dhe nëntë organizatave ndërkombëtare.

Kjo lëvizje ishte themeluar nga mesi i Luftës së Ftohtë si një kundërpeshë ndaj blloqeve kundërshtare të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm (BRSS) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA)./SHQIP.com