Lajme

Vuçiçit i dhemb deklarata e Ramës për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”.

“Sot u dëgjua nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do të sulmonte, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në atë anë. Pas një deklarate kaq të tmerrshme, dëgjohej vetëm një heshtje e madhe, aq e fortë saqë heshtja ishte e pakëndshme. Askush nuk iu përgjigj deklaratave të tilla, imagjinoni sikur dikush nga ne ta kishte thënë këtë, do të kishit dëgjuar bubullimat e mallkimeve, fyerjeve dhe fushatave më të pista nga e gjithë bota”, tha Vuçiç.

Vuçiç deklaroi se Serbia do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por edhe se “nuk do të shkelë marrëdhëniet e saj me Rusinë apo Kinën”.

“Për sa na përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë. Ne kemi nevojë për Evropën, ndoshta jo hipokrizinë e saj, por nuk mund të bëjmë pa të”, tha Vuçiç.

Kujtojmë se kryeministri shqiptar Edi Rama tha dje për mediat kosovare se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”.

/Shqip.com