Lajme

Vritet brenda lokalit 19-vjeçari në Shkodër, autorët largohen nga vendi i ngjarjes

Pamje nga vendi i ngjarjes. Shkodër, shtator 2022

Një 19-vjeçar është ekzekutuar këtë të diel në Shkodër, teksa po kalonte mbrëmjen në një nga lokalet e qytetit.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”.

E.Xh., ishte në një nga lokalet e qytetit, kur drejt tij është qëlluar disa herë me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend.

Dyshohet se atentati është zhvilluar nga dy persona që po lëviznin me motorçikletë, raporton TCH.

Njëri prej tyre ka zbritur me shpejtësi dhe është afruar drejt lokalit duke qëlluar me breshëri plumbash drejt E.Xh.

Më pas, dy personat e paidentifikuar janë larguar nga vendngjarja. Pak minuta më pas, policia ka gjetur në lagjen “Guerrile” një motorçikletë të djegur dhe një armë tip pistoletë, që dyshohet të jetë arma e krimit.

Grupi i hetimit ka nisur mbledhjen e provave në skenën e krimit, ndërsa larguan trupin e pajetë të 19-vjeçarit.

Ngjarja tronditi qytetarët e pranishëm në zonë, teksa ndodhi vetëm disa minuta pasi në qytet kishte përfunduar ndeshja Vllaznia-Kastrioti./Shqip.com