Vrasjet e fundit në vend / Osmani takon institucionet e drejtësisë, kërkon ashpërsim të ndëshkimeve
Presidenca ka njoftuar se Osmani sot ka mbajtur takim me kryesuesin e KGJK-së, Albert Zogajn, zv/U.D të kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj dhe Koordinatoren Nacionale për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Sevdije Morina.
Në takim është diskutuar për vrasjet e grave dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal.
Osmani u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht t’i ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët shqiptojnë dënime dhe shpallin aktgjykime të cilat nuk janë në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe udhëzuesin për politikat ndëshkimore.
Komunikata e plotë:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot takim me Kryesuesin e KGjK-së, Albert Zogaj, zëvendësin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, dhe Koordinatoren Nacionale për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Sevdije Morina.
Në takim, Presidentja Osmani ripërsëriti shqetësimin e thellë lidhur me fenomenin alarmues të vrasjes së grave, si dhe nevojën urgjente që të zbatohen me përpikëri dispozitat ndëshkuese të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Presidentja Osmani shtroi nevojën që të zbatohet edhe udhëzuesi për politikën ndëshkimore në rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, si dhe të punohet në drejtim të ashpërsimit të kësaj politike.
Në këtë drejtim, Presidentja Osmani u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht t’i ndërmarrin të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët shqiptojnë dënime dhe shpallin aktgjykime të cilat nuk janë në përputhje me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe udhëzuesin për politikat ndëshkimore.
Gjithashtu, në përvjetorin e 25- të masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, Presidentja Osmani i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që urgjentisht të merren në pyetje të mbijetuarit e këtyre masakrave në mënyrë që të vendoset drejtësia për viktimat.
/Shqip.com