Lajme

Vrasja e gruas në Pejë / Osmani: Të rizgjohemi si shoqëri, ky femicid që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë, dënoi vrasjen e një gruaje në Pejë që po dyshohet se dorasi ishte bashkëshorti i saj, duke theksuar se të gjithë e kanë për detyrë të mbrojnë gratë dhe vajzat.

“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

Lexo edhe:
Tronditet Peja nga krimi në familje, burri vret gruan me armë zjarri

Presidentja Osmani tha se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri, ku u diskutua për dhunën ndaj grave.

“Ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda”, shtoi Osmani.

Vrasja në Pejë është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë kur gratë u vranë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre.

/Shqip.com