Lajme

Vrasja e 7-vjeçares me gomone në Himarë, shkarkohen krerët e Drejtorisë Vendore për Kufirin në Vlorë

Gomona me të cilën u vra 7-vjeçarja në Himarë

Zinxhiri komandues i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë dhe personat përgjegjës janë shkarkuar për moszbatimin e masave shtesë për parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese, në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, pas analizës së hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në Potam, Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, bazuar në konkluzionet e nxjerra nga analiza e situatës, mori vendimin për shkarkimin nga detyra të të gjithë zinxhirit komandues dhe të personave përgjegjës në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano u shkarkuan nga detyra:

Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë Drejtor i DVKM Vlorë;

Komisar Fatos Muka, me detyrë Shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë;

Kryekomisar Andon Marko, me detyrë Shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisarë Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori;

Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë;

Nënkomisar Neritan Buzi, Shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori;

Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.

Ndërkohë, grupi i posaçëm, i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, vijon punën për eleminimin e mangësive, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese.

Theksojmë se polici Arjan Tase përplasi për vdekje të miturën 7-vjeçare në plazhin e Potamit në Himarë ndërsa po drejtonte gomonen, duke tronditur të gjithë shqiptarët.

Familjarët dhe pushuesit kanë përjetuar tmerr në ato momente, ndërsa autori është parë i qetë sipër gomones.

Pushuesit janë përplasur, ndërsa autori Tase dëgjohet të thotë që e bëri ai, por nuk donte.

Ulërima dhe të qara dëgjohen nga vendngjarja, ndërsa qytetarët i kundërvihen autorit.

Qytetarja: Çfarë ke bërë?

Qytetari: Kërcënoji kërcënoji ata që u vrave fëmijët se plumbin do të hash.

Qytetarja: A ke fëmijë ti, si qen kanë për ta vrarë kosovarët.

Qytetari: Ke dhe gojë dhe flet.

Qytetari tjetër: Kush e vrau këtë fëmijë?

Qytetari: Ai mo ai.

Arjan Tase: Jam unë mo Tani, po qetësohu, nuk doja mo.

Qytetari: Çfarë nuk doni more, ku e keni mendjen.

Qytetari: Vrijeni se bën trimin akoma, shikoje çik monstrën që bën trimin.

Arjan Tase, i cili përplasi me gomone duke lënë të vdekur në vend një 7-vjeçare këtë të martë në plazhin e Potamit në Himarë ka qenë më parë shef Komisariati në Himarë.

Në vitin 2020 është emëruar shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Peqin në Elbasan. Tase rezulton të ketë qenë i pezulluar nga detyra më parë. Por, pavarësisht kësaj ai është rikthyer sërish në detyrë në Policinë e Shtetit, raporton TCH.

Tase kur ishte shef i komisariatit të Himarës është akuzuar për shpërdorim detyre pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës.

Në dhjetor të vitit 2020 në kuadër të operacionit antidrogë u arrestuan disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjëve kanabis në Vlorë.

Arjan Tase është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës më 27 prill 2022 dhe u rikthye në polici më pas në detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan./Shqip.com