Lajme

Krimi brenda në zyrën e punës në Ferizaj, 21-vjeçarja u vra nga ish-bashkëshorti, vëllai i saj mbeti i plagosur

Një grua është vrarë dhe një i mitur është plagosur nga të shtënat me armë zjarri para Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj të premten pasdite. I dyshuari i arrestuar është ish-bashkëshorti i viktimës. I plagosuri është vëllai i saj.

“Hetuesit Rajonal të Policisë së Kosovës në Ferizaj në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e viktimës. Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Policia ka konfirmuar po ashtu se viktima është E.C., 21-vjeçare. D.C. 15-vjeç, është i plagosuri.

Drejtoresha për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ka thënë se gjithçka ka ndodhur kur viktima dhe i dyshuari janë takuar për çështjen e fëmijës në QPS.

Ajo ka thënë se nëna e ka sjellë fëmijën në qendër që të realizojë kontaktin me babanë, i cili pasi e ka takuar për dy orë, e ka kthyer në qendër.

Braha ka bërë të ditur se duke dalë nga qendra, burri ka takuar ish-bashkëshorten, dhe më pas kanë nisur tensionet. Ajo ka thënë se vrasja ka ndodhur para objektit të kësaj qendre.

Sipas Emergjencës Primare të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, gjatë prononcimit për “Betimi për Drejtësi”, i plagosuri është në gjendje të stabilizuar.

/Shqip.com