Lajme

Votimi i ligjit për zonat e mbrojtura, BE: Duhej konsultim publik. Rama: Zhvillimi në harmoni me bukuritë natyrore

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar pas miratimit në Parlament të ligjit për zonat e mbrojtura.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, delegacioni i BE thotë se BE do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Po ashtu në njoftim thuhet se në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, ku legjislacioni shqiptar duhet të përafrohet me standardet europiane, duhet që miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE të bëhet me konsultim të gjerë publik.

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.

Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.

Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, shkruan delegacioni i BE.

Pas deklaratës së BE-së, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama që thotë se është në një mendje me Bashkimin Europian.

“Me vizionin e #Shqipëria2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Më herët, deputetja demokrate Jorida Tabaku paralajmëroi se Shqipëria shumë shpejt pritet të marrë një notë protestë nga Bashkimi Europian në lidhje me ligjin për zonat e mbrojtura, të cilin mazhoranca e miratoi në seancën e fundit të Kuvendit, vetëm me votat e saj.

Sipas Tabaku, ligji është tërësisht korruptiv dhe parashikon 14 investime strategjike në zonat e mbrojtura, teksa shqetësimet e saj i ka përcjellë deri në instancat më të larta vendase dhe europiane.

/Shqip.com