Von Cramon: Të liberalizohen menjëherë vizat për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, deklaroi të hënën se për ta rikthyer besueshmërinë, Bashkimi Evropian duhet t’ia japë menjëherë Kosovës liberalizmin e vizave.
Ajo shkroi në Twitter, se është koha që BE-ja ta përfundojë procesin e liberalizimit, nëse dëshiron që të jetë e besueshme në rrafshin global.
“Nëse BE-ja deshiron të jetë e besueshme globalisht, duhet të fillojë në mënyrë primare në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Von Cramon në Twitter.

Theksojmë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, të hënën ka shkruar rreth katër vjetorit që kur Komisioni Evropian ka konfirmuar për herë të dytë se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Shefi i qeverisë thotë se Kosova është vendi më demokratik dhe pro-Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, por më i izoluari.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.
Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti./Shqip.com