Kurti: Kosova është vendi më pro-BE në Ballkanin Perëndimor, por më i izoluari
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sot bëhen katër vjet që kur Komisioni Evropian ka konfirmuar për herë të dytë se Kosova i përmbush të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Përmes një postimi në Twitter, shefi i qeverisë thotë se Kosova është vendi më demokratik dhe pro-Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, por më i izoluari.
“Shpresat e qytetarëve tanë duhet të përmbushen me vendosmërinë dhe solidaritetin e BE-së”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.
Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.

Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Mbështetjen e Parlamentit Evropian e ka përsëritur edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
PE-ja përmes një raporti për Kosovën ka rikujtuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar dhe se duhet të ndodhë pa vonesa, ky raport është miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të BE-së.
Në këtë raport është kërkuar nga vendet anëtare në Këshill që “me urgjencë” të ecin drejt miratimit të regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës dhe është thënë se vonesat e reja në këtë drejtim, do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së dhe reputacionin e saj si partner i besueshëm.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka qenë më e drejtpërdrejtë në kritika, duke bërë me gisht kah Franca dhe Holanda./Shqip.com