Lajme

Vjen në Prishtinë ambasadori i emëruar i SHBA-së, Jeff Hovenier

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka arritur në Prishtinë, përcjell Shqip.com.

Lajmin e ka bërë të ditur i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

“Sot e mirëprita në Prishtinë ambasadorin e emëruar Jeff Hovenier. Ka qenë një nder të shërbej si i ngarkuar me punë gjatë muajve të fundit”, ka shkruar Giacobbe në Twitter.

Ndërkaq, siç ka bërë të ditur Giacobbe, më 10 janar pritet të mbahet ceremonia e marrjes së kredencialeve.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden emëroi Hovenier në korrik dhe ai u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor 2021.

Honevier është pasardhës i ambasadorit Philip Kosnett ku ky i fundit ka qenë ambasador në Kosovë që nga 27 nëntori i vitit 2018.

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe

Kush është Jeff Hovenier?

Jeff Hovenier ka diplomuar në vendlindje ndërsa karrierën tash e tri dekada e ka fokusuar në çështjet e sigurisë.

Hovenier ka luajtur rol në negociatat që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara, Turqi.

Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguaj, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.

Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga qeveria e Republikës së Kosovës./Shqip.com