Rozë

“Vjen me Range Rover, duhet ta njohësh”, Zajmina Vasjari përmendet në përgjimet e policëve të arrestuar në Morinë

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore e aksionit të SPAK në doganën e Morinës.

Në një pjesë të përgjimeve  të SPAK-ut, është përmendur edhe këngëtarja Zajmina Vasjari.

Për të kaluar doganën me fëmijë të mitur duhet të kesh një prokurë nga prindi tjetër, por me ndihmë të policëve të korruptuar, kjo nuk ishte problem për këngëtaren, e cila ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se në datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “Whatsapp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë Laert Sulos me mesazh: “Është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty Morinë, po s’ka prokurë, Zaimina Vasjari. Laert Sulo – polic: Kur do kthehet? Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim. Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi numrin tim të flas me të. Tani: ‘Range Rover’. Laerti: Ok”.

Menjëherë më pas, ora 11:00, Laert Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësin e policisë, Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në kufirin Morinë, duke i thënë: Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zaimina Vasjari. Emiltoni: Jepi numrin tim”.

Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zaimina Vasjari ka kryer dalje nga Shqipëria me datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë prokure për fëmijët e mitur, duke u ndihmuar nga punonjësi i policisë Emilton Asllanaj, me porosi të marrë nga shefi i stacionit, Laert Sulo. Nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.

Operacioni “Pika 2” i realizuar të premten e kaluar, ka vënë në pranga 26 zyrtarë policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit./Shqip.com