Lajme

Vizita e Zelensky dhe Samiti për Ukrainën, çfarë do të ndodhë për 2 ditë në Tiranë – Agjenda e plotë

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelensky) ka zbritur në Tiranë mbrëmjen e së martës (27 shkurt).

Në vizitën e parë të presidentit ukrainas në Tiranë, në një kohë kur vendi i tij luftohet nga Rusia, Presidenti do të marrë pjesë në Samitin që mbahet këtë të mërkurë (28 shkurt) në fokus të të cilit është lufta dhe mbështetja për Kievin.

Zelenski u prit në aeroportin e Rinasit nga Ministri i Jashtëm Igli Hasani i cili e konsideroi vizitën e preisdentit ukrainas, si një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të qëndruar në solidaritet me Ukrainën në luftën e sja heroike kundër agresionit rus.

“I nderuar për të pritur në Tiranë Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Ky është një moment kyç për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për të qëndruar në solidaritet me Ukrainën në luftën e saj heroike kundër agresionit rus”, shkruan Hasani në rrjetet sociale.

Takimet

Ditën e sotme do të mbahet Samiti “Ukrainë – Europa Juglindore”, ku Zelenski është bashkëorganizator së bashku me Kryeministrin Edi Rama.

Por para nisjes së punimeve të samitit, sipas axhendës zyrtare, në orën 09:00 presidenti Zelenski do të mikpritet nga Rama në Kryeministri ku do të zhvillojë një takim “kokë më kokë”.

Më pas do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve ku në orën 10 do të firmoset marrëveshja mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Në orën 11:30 kryeministri Rama dhe Presidenti ukrainas, Zelenski do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit të “Ukrainë – Europa Juglindore”.

Ndërkaq, në orën 13.30 parashikohet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Masat

Për sigurimin e mbarëvajtjes së Samitit dy ditor, ku të pranishëm do jenë edhe liderët e 10 vendeve të Europës, Policia e Shtetit ka njoftuar marrjen e një sërë masash, ku në një numë të konsiderueshëm rrugësh në kryeqytet nuk do të lejohet qarkullimi dhe qëndrimi i automjeteve.

Më datë 28, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit.

Po ashtu, me datë 28 do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas

– Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”.

/Shqip.com