Vizita e Blinken, Rama: Shqipëria vend aleat i angazhuar për paqe e bashkëpunim në Rajon
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të jetë për vizitë në Tiranë më 16 shkurt. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqe e bashkëpunim të gjithanshëm në rajon.
Rama foli edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ku tha se Shqipëria i mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e BE-së dhe ShBA-së, teksa tha se “e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje” duhet të lëshojë rrugë për mundësitë e së ardhmes.
“Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithë fqinjëve të rajonit dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Evropian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Evropës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e progres”, shkroi Rama.
Vizita e Antony Blinkenit që pritet të ndodhë javën tjetër është e para e tij në Shqipëri.
/Shqip.com