Lajme

Vitia e vlerëson të suksesshëm menaxhimin e pandemisë: Mosinvestimi për dy dekada përkeqësoi gjendjen

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka vlerësuar si të suksesshëm menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë.

Sipas tij, rastet e të infektuarve dhe viktimave kanë shënuar rënie për shkak të masave antiCOVID të marra nga Qeveria e Kosovës.

Ai në raportimin para deputetëve në në Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se Kosova ka menaxhuar mirë situatën, edhe pse krahasuar me vendet e rajonit, popullata është më pak e vaksinuar.

“Masat e ndërmarra kanë dhënë rezultat duke shënuar ulje të rasteve, përkundër që shkalla e vaksinimit krahasuar me vendet e rajonit ka qenë më e ulët”, është shprehur Vitia.

Më tej, ka njoftuar se Kosova ka në stok edhe 400 mijë doza të vaksinës. Ndërsa, ka thënë deri në fund të vitit do të arrijnë edhe 500 mijë doza, duke u shprehur i bindur se deri në fund të vitit pritet që të vaksinohet 70% e popullatës.

Situatën e krijuar me COVID-19, e ka arsyetuar duke fajësuar qeveritë e kaluara për mungesë të investimeve në sektorin e shëndetësisë.

“Në një situatë pandemie jemi dëshmitarë të një gjendje që nuk jemi përballur më herët dhe që ka ndikuar në çdo aspekt. Kosova nga fillimi është përballur me probleme të mëdha, duke u nisur nga barnat esenciale e deri tek problemet e tjera, edhe përkundër masave rreziku akoma vazhdon, duke u bërë ky virus gjithmonë e më agresiv”, ka deklaruar tutje ai./SHQIP.com