Lajme

Vishaj: Ardhja e mërgimtarëve rrit mundësinë e përhapjes së COVID-19

Infektologu, Arben Vishaj.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka paralajmëruar se situata me Coronavirus në Kosovë mund të përkeqësohet pas ardhjes së mërgimtarëve për festat e fundvitit.

Ndaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i tyre.

 “Vaksinimi i popullatës duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata që hezitojnë duhet ta heqin këtë hezitim sepse është për të mirën e tyre dhe nuk guxojnë që të rrezikojnë në ditët në vijim që të jenë të pavaksinuar”.

“Është e ditur se në fund të vitit mërgimtarët tanë vijnë në Kosovë dhe e rrit mundësinë e përhapje së infeksionit sepse ata vijnë nga vatrat epidemike ku ka shpërthim epidemik në Gjermani, Zvicër e Austri”, ka thënë Vishaj për EO.

Ilustrim

Më tej, ka bërë të ditur se pacientët post-Covid trajtohen në Klinikën e Pulmologjisë, trajtim ky që mund të zgjasë disa javë, por edhe me muaj të tërë.

“Ne pacientët post-Covid nuk i trajtojmë vetëm rastet sporadike. Kryesisht pacientët post-Covid trajtohen në klinikën e Pulmologjisë, por trajtimi i tyre mund të zgjasë disa javë, por edhe muaj të tërë”.

Situata aktuale me pandeminë COVID-19 në Kosovë vlerësohet të jetë stabile. Aktualisht në nivel vendi janë 328 raste aktive.

Varianti “Omicron” i cili tashmë ka arritur edhe në vendet e rajonit, Kosovën nuk e ka prekur akoma. Dhjetëra mostra për testim të këtij varianti janë nga Kosova drejt Gjermanisë. Rezultatet e tyre pritet të vijnë brenda tre apo katër javësh./SHQIP.com