Lajme

Vila ku po zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi, dikur ishte në pronësi të Titos

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po mbahet në një nga vilat sekrete të ish-presidentit të Jugosllavisë, Josip Broz Titos, në Ohër.

Vila Biljana është një kompleks vilash shtetërore në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ky kompleks i vilave përfshin vilën e presidentit të Maqedonisë së Veriut, vilën e kryeministrit dhe vilën e ministrisë së policisë dhe disa të administratës publike.

Në periudhën e komunizmit ky kompleks ishte në pronësi të Josip Broz Titos, por tani është në pronësi të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në periudhën e verës vilat shfrytëzohen për pushimet e pushtetarëve maqedonas.Nga vila Biljana shihet pamja e bukur e Liqenit të Ohrit. Kjo ishte një nga rezidencat zyrtare verore të Josip Broz Titos.

Në periudhën post-jugosllave, Vila Biljana filloi të përdoret nga politikanët maqedonas.

Në dhomën ku po mbahet sot takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe i dërguari special për dialogun Miroslav Lajçak, shihet se tavolina, karriget dhe orenditë janë ruajtur nga koha kur janë ndërtuar.

/Shqip.com