Kulturë

Viktor Zhusti, rrëfen fate kolektive e personale

Ai luan rolin e një ish sigurimsi që me ardhjen e demokracisë, humb çdo gjë brenda një nate. Investimi i tij në një sistem ideologjik që më në fund dështoi, e hodhi atë në rrugë, ndërsa familjen e tij e ndau. I shtyrdhur si limon ose i hedhur si qen, ai paraqitet me një valixhe te shkrimtari që ka përndjekur për 20 vite. Komedia e trishtë “Profesionisti” (në skenë në teatrin e Vlorës edhe këtë fundjavë) nis këtu, me regjinë e Leka Bungos dhe interpretimin e Viktor Zhustit e Astrit Hasanit.

Zhusti ka rolin e ish-sigurimsit dhe ndan në këtë intervistë personazhin dhe veten, mes artistit që ju mohua familja dhe rolit që është njeriu që përndjek. Në një intervistë për “News 24” ai rrëfen fate kolektive e personale që pikë takohen në shfaqje e jashtë salle.

-Viktor Zhusti në Teatrin e Vlorës luan në shfaqjen “Profesionisti” duke kaluar në disa situata emocionale për të dhënë nëj personazh të pazakontë, atë të një agjenti të sigurimit të shtetit, të një hafije apo një spiuni, cili do të ishte termi i duhur për rolin tuaj?

Të një njeriu që në dy sisteme të ndryshme ka kaluar drama. Komplikacione, një jetë të vështirë. Një jetë që mund të transmetohet edhe përmes një drame.

-Personazhi juaj, Lluka, ka survejuar për 20 vite një shkrimtar. Pak para fundit të jetës, ose kur mendon se është fundi i jetës, vendos që t’ia rrëfejë të gjitha, dhe t’i sjellë të gjithë jetën e tij në një valixhe.

Lluka është arkiva e jetës së tij. Shkrimtari ka shkruar vetëm dy vepra, një me poezi e një me tregime sepse duke pasur ato ide që për kohën këta njerëz quheshin disidentë, ide përparimtare por quheshin reaksionarë ishin përkrahësit e Vaclav Havel, njerëzit që më vonë bënë rininë e vitit 1991, këta njerëz përbënin rrezikun kryesor për një sistem që ishte konsoliduar por siç u vërtetua nisi të lëkundej. Në këtë kohë, Lluka zbulon gjithë aktivitetin e jetës së tij që është pazgjidhshmërisht e lidhur me jetën e një shkrimtari që i është ndaluar fjala, i është ndaluar të shkruajë. Vepra e tij ka qenë e jashtëzakonshme. E ai këtë i sjell., gjithë atë që ia ka bërë, gjithë takimet e fshehta, ato që ka menduar, idetë, ato që në atë kohë thuheshin si barsoleta e ishin rezistencaë. Lluka i mbledhur të gjitha, është biografia e pashkruar e pathënë dhe del në dritë.

-Edhe jeta që i është mohuar, që nuk ju la ta jetonte, jeta që mund të kishte pasur?

Lluka këtë i tregon. Është një film që Lluka ia tregon me diapozitiv dhe ia parashtron. Ajo që më duket me rëndësi mua, është që autori veprën e quan komedi e trishtë. Është e pazakontë të jetë edhe komedi, edhe e trishtë. Komedia është e lehtë e të bën të qeshësh, ndërsa këtu është ndryshe. Kjo ka qenë vështirësia më e madhe për regjinë se duhet dramën e një sistemi të tërë ta paraqesë , bashkë me kontradiktat që vlonin nuk ndiheshin në sipërfaqe, duhet ti paraqesë. Si mund të jetë komedi kjo, me dy njerëz që rrëfejnë dramën e jetës së tyre. Leka Bungo e ka arritur shumë mirë, duke vënë në lojë sistemin e kaluar duke e parë me sy flas, përqeshës e duke bërë që këta njerëz, fillojnë të zhvishen, të bëhen qesharakë dhe dramatikë. Kjo të shkakton të qeshura por të shkakton edhe dhimbje e trishtim për këto dy jetë njerëzish që kanë përfunduar në mënyrë të tillë. Të dy njerëzit ndahen me dhimbje nga njëri-tjetri. Asnjëri s’ka dashur të shkatërrojë atë, dhe shkrimtari s’ka dashur të shkatërrojë njeri.

– Si ka qenë për Zhustin procesi për të ndërtuar këtë personazh nëse kemi parasysh që edhe ju keni jetuar në një sistem shtypës? Për shkak të regjimit keni pasur familjen tuaj të ndarë, nënën tuaj nuk e keni takuar. E keni vuajtur në lëkurë, në radhë të parë?

– I njoh shumë mirë këta njerëz. I njoh shumë mirë. Ju njoh psikologjinë, plastikën e tyre dhe se si u transformuan sot, si avokat, si gjykatës, si juristë.

-Ju sillni më të mirin prej tyre atëherë?

(Qesh) Unë sjell atë pjesë të dhimbjes që ata më kanë shkaktuar mua.

-Duke sjellë më të mirin prej tyre, atë që është penduar, atë që nuk ka dashur të bëjë dëm?

Jo, Jo. Atë që në fund të fundit siç tha Leka, ka bërë detyrën, është përpjekur ta bëjë në mënyrë të devotshme, sepse thotë “kam qenë komunist deri në pikën e fundit të gjakut, duke besuar e duke kuptuar më në fund se e gjitha kjo ishte një zhgënjim, një deziluzion, një ëndërr e keqe.

-Sepse hidhet si qen?

Ai ka kuptuar më në fund që ajo devotshmëri është shpërdoruar në duart e psikologjinë e dikujt, vetëm për ta pasur si një limon të shtrydhur. Ai vjen këtu tani, në momentin e fundit kur ky limon nuk ka më asnjë gjë. “Kam humbur gjithçka”, thotë, “që kam fituar prej 30 viteve me atë jetë prej qeni që kam bërë dhe të gjitha i kam humbur brenda një nate”. Por ama thotë edhe një gjë tjetër, “edhe ti nuk ke fituar asgjë sepse edhe këta të rinjtë që erdhën në pushtet mbetën duke rrjepur, dhe duke zhvatur dhe duke grabitur. Domethënë, nëse ata përpara ishin hajdutë, edhe këta janë hajdutë me çizme.

-A keni qenë ndonjëherë në rolin e shkrimtarit te shfaqjes “Profesionisti”, pra a ka ardhur dikush t’ju kërkojë falje në një moment, që ju ka përndjekur, që ju ka ndarë nga nëna, që ju ka mohuar role, ose ju ka vënë në presion?

– Jo,jo. As nuk pres e as nuk dua të më bëjnë këtë. Përkundrazi. Nuk më shqetëson kjo. Nëse ata i takoj në rrugë, kalojnë dhe bëjnë sikur s’më njohin, edhe unë bëj sikur nuk i njoh.

-Kjo shfaqje, a është një ftesë për pajtim, apo për reflektim?

Për reflektim. Për pajtim tani, kjo puna e pajtimit, unë ju urrej juve po meqë jemi ne sallën e shfaqjes duhet t’ju flas.

-Që të pajtohemi, duhet që dikush të kërkojë falje?

Jo, duhet të reflektojmë. Që të dy palët, edhe unë edhe ju. Që njerëzit ta kuptojnë çfarë ka ndodhur, pse ndodhi, dhe çfarë duhet të bëjmë.

-A e kemi kuptuar e shijuar lirinë?

Hëm. Ndonjëherë ne e shtrembërojmë vetë idenë e lirisë. E shpërdorojmë lirinë, e jetojmë keq. Kujtojmë se liria është që ne të fitojmë sa më shumë, të dëfrejmë sa më shumë, të shthuremi sa më shumë, të kemi mundësi në mënyrë të paligjshme të punojmë pak e të jetojmë shumë mirë dhe jo si liri e mendimit, si liri e botës së brendshme shpirtërore, si një liri që do më ndihmojë mua për të zhvilluar vetveten, për t’u emancipuar në jetë. Të gjitha frenat që ne kemi pasur në jetë nuk janë më, por tani kjo liri, duhet të ndihmojë për emancipimin e njeriut. Liria është e madhe….

-Por leximi që ne i japim lirisë, është i ndryshëm. Cili do të ishte mesazhi që ju i jepni publikut, pse duhet ta shohin shfaqjen “Profesionisti”?

Vepra ia vlen, është punuar me shumë kujdes, me shumë dashuri, me shumë seriozitet, dhe kam përshtypjen se do t’i krijojë publikut, emocione dhe mendime, që do t’i bëjë pas shfaqjes të ecin dhe të reflektojnë.

/Shqip.com