Lajme

(VIDEO): Politikani serb që u takua me Kurtin, filmohet duke konsumuar substanca narkotike

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte takuar Boban Bogdanoviqin, udhëheqës të Lëvizjes ‘Odgovor’.

Shqip.com kishte arritur të sigurojë një fotografi ekskluzive, të papublikuar më herët nga takimi mes kryeministrit Kurti dhe Boban Bogdanoviqit, që me gjasë të madhe ka ndodhur mes datave 14 dhe 17 dhjetor të vitit 2022.

Pjesë e takimit, ashtu siç shihet, ishte edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe drejtoresha politike e Lëvizjes “Odgovor”, Marija Iliq Paunoviq.

Lexo edhe:
Kurti takoi fshehtas politikanin kontravers serb, Boban Bogdanoviq

Në një video të publikuar gjatë ditës së sotme, politikani serb Bogdanoviq, shihet duke konsumuar substanca narkotike.

Kush është Boban Bogdanoviq?

Politikani serb, Boban Bogdanoviq është kryetar i Lëvizjes “Odgovor” me seli në Beograd. Në të kaluarën ishte anëtar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë që nga themelimi i saj dhe bashkëpunoi ngushtë me Sasha Jankoviqin.

Ai e përshkruan veten si biznesmen që zhvillon dhe shet kompani, duke mos e mohuar asnjëherë që është edhe person me ndikim në politikë.

Boban Bogdanoviq u bë i njohur për publikun kosovar në marsin e vitit të kaluar, pas një interviste të dhënë për portain KRIK, ku kishte pretenduar se është në dijeni se kush e kishte kryer vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Në atë intervistë, Bogdanoviq kishte thënë se informatat për personat e përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, i kanë ardhur nga miku i tij i ngushtë, Aleksandar Gligorijeviq, i njohur me nofkën “Puke”, i dyshuar për aktivitete kriminale me ndikim nga grupi “Principi” i Veljko Belivukit, i cili pretendohet më pas se e ka paguar vrasësin e Ivanoviqit.

Bogdanoviq kishte thënë se një shok, me të cilin ka qenë miq që nga fëmijëria, i ka shpjeguar se në vrasjen e Ivanoviqit kanë marrë pjesë dy grupe kriminale. Këtu ka përmendur edhe të dyshuarin tjetër për aktivitete kriminale nga veriu i vendit, Zvonko Veselinoviq, i cili sipas pretendimeve të Bogdanoviq, ka urdhëruar vrasjen, ndërsa “Belivuk” ka siguruar vrasësin.

“Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq, djali i Branislav Lainoviq, një djalë dikur i egër nga Novi Sadi. Njeriu që organizoi ardhjen e tij në Kosovë dhe përgatiti logjistikën është Milan Radoiçiq. Njeriu që ka dhënë urdhrin është Veselinoviq. Kështu më tha Aleksandar Gligorijeviq. Lainoviq i ka thënë se (Zvonko) Veselinoviqi ka kërkuar një nder nga klani, i kanë dhënë një atentator, atentatori ka marrë 50 mijë euro, ka kryer vrasjen dhe pas kësaj djali, me sa më kujtohet, shkon në Spanjë ose në Athinë të kryejë më shumë një apo dy apo më shumë vrasje dhe në fund të gjitha i paguan, sigurisht me kokën e tij, sepse duhet të heqësh provat”, kishte thënë Bogdanoviq në intervistën për mediumin serb KRIK.

Deklarimet e Boban Bogdanoviqin kishin shkaktuar fortunë në politikën serbe. Ministri i atëhershëm i Brendshëm, Aleksandar Vulin kishte njoftuar se policia ka hapur procedurë ndaj Bogdanoviqit dhe të njëjtin do ta ftoj për deklarim.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kishte shprehur keqardhje që Bogdanoviq nuk ka paraqitur ndonjë fakt të ri dhe as nuk ka konfirmuar ndonjë nga pretendimet e tij, as me prova materiale, e as me deklarata të dëshmitarëve.

Rreth një muaj më vonë, Bogdanoviq u kishte thënë mediave se është kërcënuar pas deklarimeve rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke kërkuar mbrojtje nga policia. Më 20 prill të vitit të kaluar, Bogdanoviq ka njoftuar se ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Serbisë rreth pretendimeve të tij për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. I njëjti kishte dhënë deklaratë edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Bogdanoviq e ka pranuar edhe publikisht që në të kaluarën ka qenë i afërt me organizatën e dyshuar kriminale “Principi” të udhëhequr nga Veljko Belivuk.

Kush është grupi “Principi” i Veljko Belivuk?

Në Serbi ky grup është i njohur për aktivitete të shumta kriminale. Në shkurtin e vitit 2021, kreu i këtij grupi Veljkjo Belivuk ishte arrestuar nga policia gjatë një aksioni të madh policor, që përfshinte shumë qytete e lokacione, mes tyre edhe stadiumin e klubit “Partizani”, ku kishin të ndërtuar një bunker. Gjatë asaj kohe policia dhe BIA serbe siguruan prova të shumta, ndër të cilat janë ekzekutimi dhe planifikimi i vrasjeve, torturimi i viktimave.

Kaq sa i përket figurës politike e kontraverse të Boban Bogdanoviqit.

Nëse kthehemi në kohë, gjatë kohës së fushatës zgjedhore, njëra ndër frazat më të zakonshme të kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti, ishte se pas marrjes së mandatit do të zhvillojë bisedime me serbët lokalë të Kosovës.

Për më tepër, i pari i ekzekutivit, e preferonte frazën “dialog me serbët e Kosovës, në sistemin nga poshtë-lartë”, duke theksuar se qytetarët e thjeshtë serb do të jenë prioritet në mandatin e tij.

Deri sot, ajo se çfarë është transmetuar në publik, tregon për takimet e kryeministrit Kurti me liderë të partive politike serbe, ndryshe nga ajo se çfarë kishte proklamuar ndër vite.

/Shqip.com