VIDEO/ Pamje nga mbledhja e Qeverisë në Shëngjin, Rama përjashton zgjedhjet e parakohshme

Publikohen pamjet e para nga mbledhja informale e Qeverisë në një hotel privat te “Rana e Hedhun” në bregdetin e Shëngjinit.
Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme ka kërkuar që të bëhet bilanci në disa aspekte politike. Ai ka caktuar disa pika paraprake mbi të cilat ka kërkuar që të bëhet një raportim nga secili prej të pranishmëve në mbledhje.
Diskutimet me dyer të mbyllura nisën mëngjesin e kësaj të marte dhe do të vijojnë deri të mërkurën pasdite.
Fjalën i pari e mori Kryeministri, i cili skanoi punën e deritanishme, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga të gjithë sidomos në lidhje me debatin parlamentar, në komisione dhe seanca plenare.
Forcimin e strukturave të Partisë Socialiste në bazë kryeministri i cilësoi të rëndësishme, ndërsa burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dije se Rama ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vit kalendarik.
Pas kryeministrit fjalën e ka marrë Blendi Klosi, Sekretar i Përgjithshëm i PS, i cili ka folur për objektivat e socialistëve dhe organizimin e degëve ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi është fokusuar në analizën e punës në Kuvend, teksa theksin e vuri të rëndësia e ndërveprimit mes qeverisë dhe grupit parlamentar.
Çuçi ka bërë një bilanc sa interpelanca janë zhvilluar, sa mocione me debat, projektligjet e depozituara në Kuvend, nga të cilat sa prej qeverisë e sa prej deputetëve. Çuçi më tej, ka analizuar edhe prezencën e deputetëve në seanca plenare, mbledhje grupi e komisione.
Socialistët kanë diskutuar këtë të martë edhe për sfidat në parlament, sidomos në drejtim të kaosit që krijon opozita dhe çdo të bëhet në vijim me ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar. Burime thonë se për PS varianti i mbledhjeve online të komisioneve parlamentare mbetet i zbatueshëm në çdo rast bllokimi nga opozita.
Më konkretisht, diskutimi është fokusuar në këto pika:
-Seancat plenare të zhvilluara në vitin që lamë pas
-Sa interpelanca dhe mocione me debat janë zhvilluar
-Sa projektligje janë depozituar ne Kuvend
-Prezenca e deputeteve në seanca plenare, në mbledhje grupi e komisione
-Takimet e ministrave me deputetet
-Sa diskutime ka pasur nëpër komisione për buxhetin dhe paketën fiskale
-Kërkesat për masa disiplinore ndaj deputeteve, sa janë kërkuar e sa janë miratuar
-Performanca e deputeteve në debate publike, diskutime në seanca e komisione dhe prezenca ne zonat elektorale
-Vijimësia e jetës parlamentare pas incidenteve dhe bllokimit te opozitës
-Ligjet në Kuvend që duan shumicë të cilësuar, si amnistia e të dënuarve për shembull
/Shqip.com