Lajme

VIDEO/ Iu gjetën 117 mijë euro në “Audi”-n luksoz, arrestohet 30-vjeçari në Durrës

Një 30-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Durrësit pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij iu gjetën brenda një çante 116 685 euro të dyshuara të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

I arrestuari është Denis Trebeshina, 30 vjeç.

Paratë atij iu gjetën brenda një automjeti luksoz tip “Audi”.

Policia bën të ditur se po heton burimin e të ardhurave të 30-vjeçarit.

Njoftimi i policisë

Vijon operacioni “Sundimi i ligjit”, me kontrolle të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në cilëndo fushë që ato shfaqen.

Si rezultat i kontrolleve, gjenden në një automjet dhe sekuestrohen 116 685 euro të dyshuara të përfituara në mënyrë të kundërligjshme. Vihet në pranga 30-vjeçari Denis Trebeshina që i posedonte.

Në vijim të kontrolleve të kryera në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas posedonte një shumë të madhe parash, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në automjetin e tij.

Në lagjen nr. 17, Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin D. T., shërbimet e Policisë gjetën 116 685 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua shtetasi D. T., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Durrës. Vijojnë veprimet hetimore për të vërtetuar burimin e të ardhurave të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme.

/Shqip.com