Lajme

VIDEO/ Himariotët protestë para GJKKO për Fredi Belerin: Të bëjë betimin si kryebashkiak

Disa protestues janë mbledhur para Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Beleri akuzohet për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve lokale të 14 majit, për bashkinë e Himarës.

Sot mbahet seanca, në të cilët kryebashkiaku i votuar kërkon të betohet për marrjen e mandatit, një kërkesë që Gjykata e Lartë ia kaloi për kompetencë Gjykatës së Posaçme.

Protestuesit kërkojnë që Beleri të lirohet nga burgu dhe të kryejë betimin si kryebashkiak i Himarës.

Në mesin e protestuesve është edhe djali i Fredi Belerit si dhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule.

Në gjyqin e fundit, me mbikëqyrjen edhe të ambasadores greke Konstantina Kamitsi, Fredi Beleri, refuzoi të pyetet nga prokurorët e posaçëm të SPAK, pasi sipas tij SPAK ka depozituar akte të njëanshme, një version që është kundërshtuar më herët nga gjykata e posaçme.

Gjatë këtyre seancave të monitoruara nga pala diplomatike e Greqisë, ai këmbëngul se arrestimi i tij është politik dhe se po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë. SPAK e ka kundërshtuar këtë qëndrim, për këtë arsye vazhdon të refuzojë dhe kundërshtojë betimin e Fredi Belerit për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës.

Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit.

Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri.

/Shqip.com