Lajme

VIDEO: 43-vjeçari që mbeti në kanionet e Gramshit, shpëtohet nga RENEA

Një 43-vjeçar, i cili kishte mbetur i bllokuar prej pasdites së të shtunës në Kanionet e Holtës në Gramsh u shpëtua këtë të diel nga policia. Operacioni e shpëtimit zgjati të paktën 6 orë dhe u zhvillua në një terren të vështirë.

Policia e shtetit ka publikuar pamje nga momenti is shpëtimit të tij në një terren mjaft të vështirë. Andrea Dervishi mbeti i bllokuar midis shkëmbinjve, në vendin e quajtur “Kalaja e Tërvolit” ku kishte shkuar për të vizituar kanionet.

Pasditen e të shtunës ai zbriti me litar rreth 80 metra lartësi duke menduar që do të dilte poshtë në kanion, por litari nuk ka mjaftuar dhe ka mbetur mes dy shkëmbinjve. Ka qenë një shoku që dha alarmin se nuk kishte asnjë të informacion se ku kishte mbetur nga 43 vjeçari.

Pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e të shtunës u nisën në ndihmë të tij shërbimet e Policisë të Komisariatit Gramsh, shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” Elbasan dhe shërbimet zjarrfikëse. Për shkak të errësirës dhe terrenit të vështirë, ishte e pamundur ndërhyrja në kanione dhe 43-vjeçarit iu desh që të kalonte natën në një shpellë.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur kontakt të vazhdueshëm përgjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së dielës, në drejtim të kanioneve, janë nisur forcat speciale RENEA.

/Shqip.com