Lajme Ballkan

Vëzhguesi: Parregullsi në 10 për qind të vendvotimeve në Serbi

Zgjedhjet në Serbi

Vëzhguesi zgjedhor i ‘Crta’ deri më tani ka dorëzuar pesë raporte në polici duke pretenduar për korrupsion zgjedhor – dy raporte i referohen manipulimit të votave që vëzhguesit dyshohet se kanë qenë dëshmitarë në Kula dhe Surçin, dhe tre i referohen rasteve të blerjes së votave në Majdanpek, Zitoradja dhe Cukaricë, tha drejtori i programit Rasa Nedeljkov.

Ai tha se ka pasur incidente sporadike në qendra të ndryshme votimi dhe se Crta do të vazhdojë të vëzhgojë procesin.

“Kur flas për parregullsi sporadike brenda qendrave të votimit, përqindja e vendvotimeve ku ne regjistrojmë këtë lloj parregullsie është rreth 10 për qind në të gjithë Serbinë,” tha Nedeljkov në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se përqindja e vendvotimeve në Beograd ku janë vërejtur parregullsi të tilla është pesë për qind.

Organizata tha se pjesa e parë e ditës së zgjedhjeve është shënuar me tensione dhe dhunë verbale, si dhe janë regjistruar raste të dhunës fizike para disa qendrave të votimit.

Ai dënoi fuqishëm të gjitha aktet e dhunshme dhe u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të sigurojnë një proces të drejtë.

Turma të mëdha janë vërejtur në vendvotimet në Kurshumli, Tutin, Bujanoc dhe Rashkë, ku po votojnë votuesit nga Kosova. Një numër i madh autobusësh me votues mbërritën aty në mëngjes. Qendrat e votimit nuk janë të organizuara mirë dhe organizata tha se në disa vendvotime në të njëjtën kohë kanë qenë të pranishëm disa dhjetëra qytetarë, gjë që e ka bërë të pamundur fshehtësinë e votës. Është vënë re edhe prania e shtuar e policisë para qendrave të votimit, raporton N1.

“Në ato qendra votimi, me kaq shumë njerëz, është thjesht e pamundur të zhvillohet procesi zgjedhor në atë mënyrë që të mundësohet fshehtësia e votimit dhe që njerëzit të votojnë në mënyrë të pavarur”, tha Nedeljkov.

Organizata tha se konsideron se procesi i votimit në këto vendvotime është komprometuar.