Lajme

Veturës me targa të Kosovës në Kroaci i shkruhet “Kosova është Serbi”

Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj ka shpërndarë një video ku në një veturë me traga të Kosovës i është shënuar mbishkrimi “Kosova është Serbi”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Veprime të tilla shkaktojnë përhapje të urrejtjes, intolerancës dhe përçarjes mes popujve, diskriminim dhe ndezje të urrejtjes ekzistuese ndaj populli shqiptar”, ka shkruar deputetja shqiptare.

Qyteti i Opatija ka qenë një qytet multikulturor me shekuj, dhe aktivitete të tilla nga disa qytetarë përhapin një imazh të keq për turizmin në Republikën e Kroacisë, ka shtuar më tutje Lekaj.

“E dënoj publikisht këtë akt të turpshëm dhe kërkoj nga institucionet kompetente që të marrin të gjitha masat ligjore, të cilat parashikojnë që përhapja e urrejtjes ndaj një grupi etnik në territorin e Republikës së Kroacisë, të dënohet sipas ligjit penal ekzistues”, ka thënë Lekaj.

Nga sot, me 1 shtator Kosova rifillon masën e reciprocitetit për targa ndaj Serbisë.

Lexo edhe:
Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe targat

Po ashtu nis edhe reciprociteti i letërnjoftimeve marrëveshje kjo e arritur më 27 gusht mes Kosovës dhe Serbisë.Masa e reciprocitetit ndalon përdorimin e targave serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e kishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht.

Për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës./Shqip.com