Lajme

Vettingu në drejtësi, sfidë për t`u jetësuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Në rrethanat aktuale politike në vend, votimi i Vettingut për drejtësi do të jetë i pamundshëm, duke pasur parasysh që deputetët serbë janë dorëhequr nga Kuvendi i Kosovës. Megjithatë, mbetet të shihet deri në qershor të këtij viti, si do të arrihet që ky proces të kalojë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbetet optimiste se kjo do të bëhet, e nga shoqëria civile shtjellojnë procedurat.

Vettingu ka qenë edhe zotim që u është dhënë qytetarëve të Kosovës ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se krejt kjo me qëllimin që të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë, teksa shtoi se pas plotësimit të rekomandimeve të komisionit të Venecias lidhur me këtë proces, raporti është dërguar në kuvend. Por për të votuar atë duhet shumica në kuvend, përfshirë edhe komunitetet.

“Nuk do të doja që të dilja në planin B pa u përpjekur ta realizojmë planin A, që është mënyra më e mirë se si në Kosovë mund të jetësohet procesi. Sigurisht ne mund të kemi plan B sepse nuk do të ndalemi të presim derisa të binden deputetet e Kuvendit. Sigurisht që kjo nuk është zgjidhje, megjithatë ne kemi vullnetin për ta shtyrë përpara këtë reformë. Siç e dini nevojitet 2/3 e votave të shqiptareve dhe 2/3 e votave të komuniteteve. Jemi takuar disa herë me grupet parlamentare të opozitës, derisa nuk kemi arritur të kemi takim me Listën Serbe. Por, besoj që kur do të jemi në atë fazë, duhet të takohemi për ta marrë mbështetjen e tyre”, ka theksuar ministrja Haxhiu, transmeton mediumi publik.

E shoqëria civile vlerëson se sa i përket Vettingut, ekzekutivi do të duhej të ketë një komunikim të mirëfilltë me partnerët ndërkombëtarë që të arrihet të bindet edhe Lista Serbe të bëhet pjesë e vendimmarrjes dhe votimit.

“Komisioni i Venecias fatkeqësisht ka propozuar të kemi Vetting të pjesërishëm dhe jo të plotë ashtu siç kanë qenë premtimet e partisë në pushtet. Ne mendojmë që edhe me këto ndryshime që do të përfshijnë kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët e prokurorive dhe anëtarët e Këshillit Prokurorial, do të duhet të konsiderohet si një hap i rëndësishëm për të përmirësuar integritetin e sistemit gjyqësor dhe prokuroria”, ka theksuar Ehat Miftaraj nga IKD.

E nga KDI, thonë se ende mbetet e paqartë dhe nuk mund të gjykohet si çështje nga rrethanat aktuale.

“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një reformë që mbështet tek praktika e ndryshimeve kushtetuese që kërkon numrat e 2/3 e deputetëve, duke përfshirë edhe ata të komunitetit pakicë, mund të themi se sigurimi i këtyre numrave do të jetë problematik veçanërisht të atyre të komunitetit serb, që vijnë nga Lista Serbe”, ka thënë Arbër Thaçi nga KDI.

Vettingu sipas procedurave të Kuvendit pritet të marrë drejtim pas gjashtë muajsh.

/Shqip.com