Lajme

Veto e Athinës, Rama: BE e shqetësuar për sjelljen joeuropiane të Greqisë

Kryeministri Edi Rama komentoi sot veton e Greqisë për avancimin e Shqipërisë në procesin e negociatave.

Ai tha se në BE ka një shqetësim sesi Mitsotakis po çon në tryezën evropianë një çështje bilaterale që duhet zgjidhur mes dy shteteve.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, sjellja e Greqisë është joeuropiane duke u shndërruar nga një vend europian në BE në një shtet ballkanik në familjen e madhe europiane.

“Për hir të së vërtetës ka një shqetësim shumë të lartë sidomos nga shtetet me më shumë eksperiencë në BE për çështjet bilaterale. Pra sesi një vend anëtar i eksporton këto çështje në tryeza duke krijuar një situatë të paarsyeshme. Sepse çështjet bilaterale duhet të zgjidhen mes dy shteteve. është e pakuptimtë sesi një vend që hyn në nëj fazë përfundimtare të shtetbërjes europiane, të pengohet sepse ka një çështje bilaterale. Mbase do të ishte më e kuptueshme që në momentin e anetarësimit, vendi në fjalë të thotë jo. Por në këtë fazë është joeuropiane si frymë. Ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan dhe jo një shtet ballkanik në BE” – tha Rama gjatë komunikimit me gazetarët nga Kryeministria.

/Shqip.com