Lajme

Vetëvendosje i kundërpërgjigjet LDK-së për Asociacionin me një fotografi të Mustafës nga nënshkrimi i marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas deklaratës së anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, se “druan” që Qeveria mund ta pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njofton Shqip.com.

Zëdhënësi për media i LVV-së, Arlind Manxhuka, me anë të një fotografie, i ka kujtuar Hamitit kohën kur Isa Mustafa si kryeministër dhe Hashim Thaçi si ministër i Punëve të Jashtme, dikur kishin nënshkruar “marrëveshjen për Zajednicën”.

Në fotografinë e publikuar nga Manxhuka, shihet Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq dukenënshkruar marrëveshjen në prani të shefes së atëhershme të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Foto 2015: Kryeministri Mustafa e ministri i punëve të jashtme, Hashim Thaçi, nënshkruajnë marrëveshjen për Zajednicën. Komenti 2021: LDK frikësohet se Qeveria do të pranojë Zajednicën”, ka shkruar Manxhuka krahas fotografisë.

Fotografia e publikuar nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje

Hamiti nga LDK tha se “frikësohet” se Qeveria e Kosovës mund ta pranojë themelimin e Asociacionit, veçanërisht pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015.

“Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thotë ai për KP. /Shqip.com