Lajme

Vetëm edhe tri ditë afat për deklarimin e pasurisë

Ilustrim/ Deklarimi i Pasurisë

Vetëm edhe tri ditë afat kanë mbetur për deklarimin e pasurisë. Mirëpo janë rreth 2 mijë e 500 deklarime të pasurisë që janë dorëzuar deri të martën në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

 Por janë rreth 5 mijë zyrtarë, të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë, në të kundërtën do të përballen me gjoba e kallëzime penale.

Lidhur më këtë, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj thotë se deklarimi i pasurisë është duke vazhduar me avazin e vjetër, duke u lënë për ditën e fundit.

“Deri më tani rreth 2500 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë nga rreth 5 mijë të cilët janë të obliguar, por janë edhe 30 për qind të tjerë të cilët kanë filluar plotësimin e formularit, sepse tash e kemi vënë në funksion deklarimin elektronik të pasurisë edhe jemi në ngjarje se ku janë zyrtarët me plotësim të këtij formulari. Presim që edhe ky grupi tjetër i rreth 1 mijë e 300 apo 400 zyrtarëve ta plotësojnë shumë shpejt. Fatkeqësisht prapë po vazhdon ai avazi i vjetër ku deklarimi pasurisë kryhet në ditët e fundit, përderisa afati i fundit për deklarim të pasurisë është e premtja, prapë kemi një numër shumë të madh të atyre të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë”, tha ai.

Më tutje Buleshkaj tha se ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë do të gjobiten deri në 500 euro.

“Ligji i ri i cili e parasheh dhe e rregullon mënyrën e deklarimit të pasurisë e ka paraparë që secili zyrtar i cili nuk e deklaron në kohë, e pranon një gjobë mandatore. Po besojmë që në javën e parë të prillit të gjitha ata zyrtarë të cilët nuk e kryejnë në kohë do ta marrin një gjobë e cila është deri në 500 euro, apo 30 për qind e pagës së tyre. E pastaj ju dhurohet një afat shtesë prej 15 ditësh për ta dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë. Pas kësaj kohë të gjitha këto raste me automatizëm do të kalohen në Prokurori”, tha Buleshkaj

Ai shtoi se mosdeklarimi me kohë është duke shkaktuar edhe problem, pasi gjatë plotësimit të formularit në momentet e fundit po bëhen gabime të mëdha.

/Shqip.com