Veseli viziton familjen në Kosovë pas vdekjes së babait
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë, ka ardhur për vizitë te familja e tij në Kosovë pas vdekjes së babait të tij.
Lajmin e kanë konfirmuar për Shqip.com nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që ta menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë që Kadri Veseli të jetë pranë familjes së ngushtë pas rastit të vdekjes së babait të tij.
I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke mbështetur Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës Speciale, Angela Griep.
Babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli, ka vdekur në moshën 94 vjeçare të mërkurën./Shqip.com