Lajme

Veseli heq dorë nga e drejta për shqyrtimin e ardhshem të paraburgimit të tij

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Mbrojtja e Kadri Veselit ka njoftuar gjykatën për qëllimin e klientit të tij për të hequr dorë nga e drejta e tij për shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të tij.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, ky paraburgim ishte caktuar më parë nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Në shkresë thuhet se kërkohet që shqyrtimi i paraburgimit të tij të shtyhet derisa të zgjidhet një çështje e veçantë e zbulimit që lidhet me shqyrtimin e paraburgimit të tij, e cila u ngrit në Konferencën e Pesëmbëdhjetë të Statusit.

“Mbrojtja kujton se është urdhëruar të paraqesë kërkesën e saj për zbulimin në fjalë deri më 14 nëntor 2022; dhe një përgjigje, nëse ka, deri më 29 nëntor 2022. Mbrojtja kërkon që shqyrtimi i radhës i paraburgimit të z. Veseli të caktohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas zgjidhjes së kësaj kërkese”, thuhet në këtë shkresë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, dhe të tjerëve e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Në këtë aktakuzë, thuhet se  përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

/Shqip.com