Lajme

Verifikimi i nënshkrimeve / IKD kritikon KQZ-në dhe MAPL-në që s’kanë caktuar afat

Nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit shqiptar në Mitrovicën e Veriut, më 17 janar 2024.
Nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit shqiptar në Mitrovicën e Veriut, më 17 janar 2024.

Janë bërë më shumë se një muaj nga nisja e procesit të verifikimit të nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e katër kryetarëve në Veri. Derisa kryetari i Komisionit Qendror për Zgjedhje, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të diskutohet për këtë proces, nga IKD e kanë cilësuar si të pakuptueshme se pse nuk është caktuar ndonjë afat kohor për procesin e verifikimit. Zgjedhjet në Veri kanë qenë temë diskutimi e një takimi mes Presidentes Osmani dhe Miroslav Lajçak në Antali, por para disa ditësh Osmani zgjedhjet i lidhi me heqjen e masave të BE’së ndaj Kosovës.

Më 25 janar, KQZ ka pranuar peticionin për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës: Mirovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq ndërsa për Zubin Potok i kishte pranuar më herët. Këtë e kishte konfirmuar zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, i cili kishte thënë se procesi i verifikimit do të marrë kohë për shkak se të dhënat janë mbledhur në formatin fizik.

Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se afati për verifikimin e nënshkrimeve nuk është caktuar në asnjë dispozitë të udhëzimit administrativ. Në një prononcim për Gazetën Express, Jakaj tha se kjo çështje është dashur të rregullohet nga MAPL dhe KQZ.

“Sipas udhëzimit administrativ, afati për verifikimin e nënshkrimeve nuk është caktuar në asnjë dispozitë të tij. Neni 6, paragrafi 5 i këtij udhëzimi tregon se verifikimi do të bëhet në pajtim me legjislacionin në fuqi duke mos treguar se në cilin legjislacion. Për më tepër, as në faqen zyrtare nuk është miratuar ndonjë akt i ri nënligjor që do të tregonte se sa është afati i verifikimit të nënshkrimeve. Kjo çështje është dashur të rregullohej në konsultime paraprake ndërmjet MAPL-së dhe KQZ-së që kjo e fundit të miratojë një akt tjetër nënligjor e jo që kjo çështje t’i vendosej në diskrecion KQZ-së se kur do t’u kthejë përgjigje nismëtarëve. Rrjedhimisht, edhe pse qytetarët kanë ushtruar një të drejtë fillestare për largimin e një kryetari atyre kjo e drejtë ju vonohet të realizohet në praktikë në mungesë të përgjigjes së KQZ-së, për shkak që e njejta nuk ka një afat të caktuar.

Jakaj shtoi se është e pashpjegueshme se pse po merr kaq shumë kohë procesi i verifikimit të nënshkrimeve pasi që aktualisht KQZ nuk ka angazhime tjera.

Ai e përsërit që është e pakuptueshme që çështja e afatit nuk është specifikuar në udhëzim dhe që KQZ nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë që të miratojë akt nënligjor për precizimin e afatit.

“Është e pashpjegueshme pse po ndodh që të marrë kohë kaq shumë verifikimi i nënshkrimeve kur dihet që aktualisht KQZ nuk ka angazhime të tjera të cilat do ta ngadalësonin punën e saj. Por, po e përsëris që është e pakuptueshme se si çështja e afatit nuk është specifikuar në këtë udhëzim dhe qysh më tutje, KQZ nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë që të miratojë akt nënligjor për precizimin e afatit.”

Kur u pyet se kur mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore, Jakaj tha se nuk mund të japë ndonjë afat të caktuar kohor për çka edhe tregoi arsyet.

“Nuk mund të japim përgjigje të saktë për këtë çështje, ngase ende nuk janë verifikuar nënshkrimet, nuk ka vendim të KQZ-së për këtë çështje. Po ashtu, pas verifikimit duhet të zhvillohet edhe votimi për largimin e Kryetarit e që ende nuk dihet nëse do të bëhet ngase ende nuk është është plotësuar kushti kryesor për mbajtjen e këtij votimi, nënshkrimi i së paku 20% të votuesve të regjistruar të një komune të caktuar”, tha Jakaj për Express.

Të premten, kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, tha se javën që vjen do të diskutohet për këtë proces.

“Javën tjetër do ta trajtojmë atë çështje. Do të jemi në një mbledhje të tillë. Paraprakisht do të miratojmë disa rregullore të brendshme që janë të nevojshme”, është shprehur Radoniqi në mbledhjen e KQZ-së që është mbajtur të premten.

Zgjedhjet në Veri kanë qenë temë e diskutimit mes presidentes Osmani dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilët u takuan të premten.

“Folëm për zhvillimet e fundit në dialog, në veçanti për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimin e fundit që prita në Bruksel”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.

Mirëpo disa ditë më parë presidentja Osmani mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veri e ka lidhur me heqjen e masave të BE’së ndaj Kosovës.

Ajo ka thënë se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Osmani ka thënë se në këtë proces është e domosdoshme të ecet përpara dhe tha se zgjedhjet do t’i caktojë sapo të konfirmohet largimi i kryetarëve aktualë.

“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është e lidhur me mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Është e domosdoshme që të ecim përpara gjithnjë në përputhje me ligjin dhe procedurat e përpara”, tha Osmani para gazetarëve më 23 shkurt.

Në janar, sipas Udhëzimit Administrativ të hartuar nga MAPL, janë organizuar peticionet në komunat veriore, ku qytetarët kanë nënshkruar për rrëzimin e kryetarëve aktualë.

Në të katër komunat janë mbledhur nënshkrime më shumë se sa 20 për qind e listës votuese. Pas verifikimit, KQZ duhet ta njoftojë kryesuesin e kuvendit, grupin nismëtar dhe Ministrinë me vlerësimin përfundimtar. Në rast se rezulton që kërkesa është mbështetur nga së paku 20 për qind e votuesve të regjistruar, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, për çka nevojiten 50 për qind + 1 votë pro. Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme

Zgjedhjet në Veri janë kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare pasi zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar u sabotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë. Më 23 prill dolën një numër shumë i vogël i qytetarëve dhe në bazë të tyre kryetarë u zgjodhën Erden Atiq në Mitrovicën e Veriut, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Lulzim Hetemi në Leposavia dhe Ilir Peci në Zveçan.

Qysh prej tensioneve në maj, kur kryetarët shqiptarë hynë me ndihmën e Policisë nëpër objekte komunale, KFOR ka qenë i pranishëm në dhe përreth ndërtesave të komunave, mirëpo dje kanë njoftuar që më s’do të jenë në komunën e Zveçani. KFOR tha se gjendja është stabilizuar.

“Gjendja në komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitë nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO nuk do të jenë më të pranishme në ndërtesën e komunës. Në vend të kësaj, ata do të qëndrojnë në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit.”

/Shqip.com