Kulturë Kino

“Vera Andrron Detin”, shfaqet edhe në shtëpinë e kinemasë së Evropës

Filmi kosovar me regji të Kaltrina Krasniqit, “Vera Andrron Detin”, do të shfaqet në Gjermani.

Filmi do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit “Wiebaden”.

Kjo është bërë e ditur nga faqja zyrtare e filmit në Facebook, me anë të një postimi.

“Ky festival është shtëpia e kinemasë së Evropës Qendrore dhe Lindore për dekada. Prandaj, ne jemi të kënaqur t’i bashkohemi në festival këtë vit”, thuhet në njoftim.

“Vera andrron detin” është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat.

Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

“Vera Andrron Detin”, është shfaqur në shumë festivale në botë, duke marrë edhe çmime gjithashtu.