Lajme

Vendimi “i paqartë” dhe “i paarsyeshëm” i Qeverisë për masat e reja anti-COVID’19

Ilustrim

Mund të jeni një nga ata persona që ka qenë i infektuar me COVID-19 dhe ka fituar imunitet, gjithashtu mund të keni kaluar virusin dhe të keni një dozë të vaksinës, por prapë të futeni në Kosovë do ta keni të pamundur.

Kjo për arsye se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës kërkon me patjetër që të keni certifikatën e vaksinimit të plotë.

Siç ceket edhe në njoftimin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitare, nga 3 janari, duhet ta keni “certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19”.

Nga ky rregull janë përjashtuar vetëm personat nën 12 vjeç dhe ata me dëshmi mjekësore që kanë kundër-indikacione shkencore të vërtetuar për mosvaksinim.

Meqenëse rinfektimi pas shërimit nga COVID-19 është i rrallë në muajt e parë, shumë shtete në Evropë e praktikojnë vaksinimin në interval prej së paku 3-6 muaj pas infektimit ose pas shërimit.

Të pyetur nga Shqip.com se pse personat që posedojnë testin pozitiv të COVID-19 jo më të vjetër se 6 muaj, nuk lejohen të hyjnë në Kosovë, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë.

Shkurtimisht, me një fjali interte, janë përgjigjur se “çdo shtet kërkon qe masat e qeverisë të zbatohen”.

Ministria e Shëndetësisë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar dhe Policia e Kosovës të paqartë me vendimin

Ndërkohë, i paqartë ky vendim del të jetë edhe për Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Nga kjo organizatë qeveritare i kanë thënë Shqip-it se për këtë çështje i kanë dërguar pyetje MSh-së, por nuk kanë pranuar përgjigje.

“Vendimin e kemi të paqartë edhe ne. Kemi dërguar pyetje MSh-së për sqarim, por nuk na kanë kthyer përgjigje”.

Redaksia ka dërguar pyetje edhe në Zyrën për Informim në Policinë e Kosovës për të kuptuar nëse këta persona po kthehen mbrapsht në pikat kufitare, por të njëjtit për këtë çështje kanë referuar për të iu drejtuar autoriteteve të shëndetësisë.

I paarsyeshëm në aspektin mjekësor dhe shkencor

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës i duket i paarsyeshëm infektologut Ilir Tolaj, pasi sipas tij, imuniteti që lë pas të kaluarit e infeksionit COVID-19 mund të zgjasë edhe më shumë se gjashtë muaj.

“Ne aspektin mjekësor dhe shkencor, masa e ndalimit në Kosovë e atyre që e kanë kaluar infeksionin në më pak se gjashtë muaj paraprakisht nuk është e arsyeshme”, thotë Tolaj për Shqip.com.

Megjithatë, shton se pranimi i vërtetimit mjekësor se dikush e ka kaluar infeksionin në mënyrë të natyrshme në periudhën e përcaktuar paraqet probleme te caktuara.

“Veçanërisht kur është fjala për qytetarë të vendeve fqinje, të cilat ashtu si edhe Kosova, nuk shquhen edhe më ndonjë nivel të kënaqshëm të mbikëqyrjes së lëshimit të dokumenteve mjekësore të kësaj natyre”.

Infektologu Ilir Tolaj

Këto masa kanë ndryshuar vetëm pas 3 janarit 2022. Derisa para kësaj date, kur fluksi i mërgimtarëve ishte disa herë më i madh, në Kosovë mund të hyje edhe me vetëm një dozë të vaksinës./SHQIP.com