Lajme

Vendimi i Apelit për ZRRE-në, Haradinaj: Kishim të drejtë, qytetarët u vodhën

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria që të ua kthejë mjetet qytetarëve.

Derisa ka shtuar se opozita ka pasur të drejtë në kundërshtimin ndaj shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit që e pezullon vendimin e ZRrE për shtrenjtimit e rrymës, e justifikon kundërshtimin tonë të vazhdueshëm ndaj shtrenjtimit. Me të drejtë e kemi vlerësuar që qytetarët po vidhen, e sot jemi të lumtur që gjykata vihet në shërbim të mbrojtjes së interesit publik. Presim që qeveria të marrë vendim të shpejtë që paratë që iu morën qytetarëve përmes faturave të fryera, tu kthehen pa vonesë!”, shkroi Haradinaj në “Facebook”.

Zyra e Rregullatorit për Energji

Theksojmë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për çështjen administrative, me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli e ka cilësuar si të pabazuar ankesën e të paditurës ZREE-së.

“Refuzohet si e pabazuar  ankesa e të paditurës –kundërpropozueses ZRRE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi  i Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/ propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike./SHQIP.com