Lajme Botë

Vendet e G7 bien dakord për të kufizuar çmimin e naftës ruse

Foto nga AFP

Ekonomitë më të mëdha të Perëndimit ranë dakord të premten të vendosin një kufi çmimi për naftën ruse në një përpjekje për të reduktuar aftësinë e Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë pa nxitur më tej inflacionin global.

Ministrat e financave nga grupi i vendeve të G7 – Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – thanë se do të ndalonin ofrimin e “shërbimeve që mundësojnë transportin detar të naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës me origjinë ruse në mbarë botën, raporton CNN.

Çmimi maksimal do të vendoset nga “një koalicion i gjerë” vendesh, thanë ata në një deklaratë të përbashkët. Ai do të hyjë në fuqi së bashku me grupin e ardhshëm të sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat përfshijnë një ndalim të importeve të naftës ruse nga deti duke filluar nga fillimi i dhjetorit.

Rusia kishte kërcënuar tashmë se do të hakmerrej duke ndaluar eksportet e naftës në vendet që zbatojnë një kufi çmimi./Shqip.com