Lajme

Veliu tregon pse i hodhi ujë Xhafer Gashit

Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Deputeti I LDK-së dhe ish-kryetari degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu, ka akuzuar kryetarin e degës së LDK-së në Obliq, Xhafer Gashin për kontributin e tij në manipulimin e procesit zgjedhor në degën e Podujevës, ku të martën u zgjodh kryetar Ekrem Hyseni.  Ai ka treguar edhe pse ka hedhur ujë në drejtim të Gashit.

Veliu, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar edhe kryetarin e partisë Lumir Abdixhikun se bashkë me persona të tjerë nga kryesia e LDK-së i kanë dhënë goditjen e dytë LDK-së në Llap.

Veliu ka thënë se “një proces zgjedhor brenda Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Degën e Podujevës ka kulmuar me Kuvendin Zgjedhor, ku u konfirmua e gjithë farsa zgjedhore e dirigjuar nga kryetari i degës dhe disa argatë të tij”.

Më tej ai ka shkruar se “rëndësi kishte që argatët e kryetarit të Lumirit, me miratimin e kumbarës Xhafer Gashi, të mbushnin procesverbalet dhe të mblidhnin nënshkrimet e duhura që ‘doku’ të sigurojë numrat”.

Ai ka thënë se “pas përfundimit të fjalës kam lëshuar sallën dhe në dalje kam bërë një veprim politik simbolik,  duke i hedhur pak ujë Xhaferit, por jo për ta flladitur nga zhegitja siç ka thënë ai, as për t’ia pastruar fytyrën, por për t’ia bërë me dije atij dhe opinionit për rolin dhe hisen e tij në manipulimin e krejt procesit zgjedhor. Prandaj, të kota janë përpjekjet e tij hipokrite që të mashtrojë opinionin sikur gjithçka ishte në rregull. Xhafer, siç e di ti, i di edhe anëtarësia e çdo nëndege të  gjitha manipulimet që i keni bërë. Lavdata mund të marrësh vetëm nga Lumiri dhe dora e zgjatur e tij në Podujevë”.

“Lumir, ti dhe xhaferat e tu, të mërkurën e 21 qershorit jeni ekzaltuar, duke dashur të kremtoni fundin LDK-së në Llap. Por, llogaritë i keni shumë të gabuara. Po ju siguroj se misioni juaj është i dështuar. Lidhja Demokratike dhe Rugovizmi i kanë rrënjët e thella në Llap”, ka shkruar ai.

Ndryshe, të martën në Podujevë është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Degës së LDK-së, në të cilën Ekrem Hyseni është zgjedhur kryetar i kësaj dege.

/Shqip.com