Lajme

Veliu për njohjen e patentë shoferëve: Meritat po i marrin ata që s’i kanë

Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, është shprehur i lumtur që Gjermania ka vendosur t’i njohë patentë shoferët e Kosovës, por ka thënë se për këtë proces “meritat po i marrin ata që s’i kanë”.

Në emisionin “Frontal” në T7, ai ka deklaruar se në kohën kur ka qenë ministër, ka punuar shumë që çështja e njohjes së patentë shoferëve të finalizohet, por sipas tij, punët nuk i ka bërë publikisht.

“Njerëzit në Kosovë nguten kur ndodh diçka që t’i marrin meritat edhe kur s’i kanë. Unë kam punuar shumë në këtë drejtim dhe nuk kam punuar shumë publikisht, sepse është dashur të kryejë shumë punë. Jam shumë i lumtur për njohjen e patentë shoferëve”, ka thënë ai.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se njohja e patentë shoferëve është dëshmi se Gjermania ka besim në autoritetet e Kosovës, tha se “nuk është fare e vërtetë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Jo, fare nuk është e vërtetë. Kurti me këtë deklaratë ka thënë diçka të pavërtetë. Në këtë proces ai s’ka qenë fare i përfshirë”.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani të premten ka njoftuar se shteti gjerman ka marrë vendim t’i njohë patentë shoferët nga Kosova. Ky propozim ka marrë miratimin e të 16 landeve gjermane.

Njohja e patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani ishte një nga kërkesat kryesore prej vitesh të shtetasve kosovarë që jetojnë atje.

Deri tani, patentë shoferët e Kosovës në Gjermani kishin validitet vetëm gjashtë muajsh.

Pas kësaj periudhe, duhet të futeshin në procedurë nga fillimi për marrjen e patentë shoferit nga institucionet gjermane./Shqip.com